Secondary Adv

FSHZH tender për modernizimin teknologjik të parkimeve publike Vlorë, Durrës, Berat e Gjirokastër

Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të investojë rreth 94 milionë lekë për modernizimin e parkimeve publike në katër qytete të vendit.

Tenderi, me objekt “Ndërtimi i nyjeve multimodale të mobilitetit, Rajoni 3 & 4: Përmirësimi i performancës së parkimeve përmes plotësimit me pajisje teknologjike”, parashikon instalimin e sistemeve moderne të pagesave, kontrollit hyrje-dalje dhe menaxhimit të përdoruesve në parkimet publike të Vlorës, Durrësit, Beratit dhe Gjirokastrës.

 

Vlora, parkim në ndërtim me 133 vende

Sipas dokumentacionit teknik, parkimi publik i Vlorës ndodhet në qendër të qytetit dhe ka kapacitet prej 133 vendesh parkimi në një nivel nëntokësor. Objekti është ende në proces ndërtimi dhe disponon një hyrje dhe një dalje.

 

Raporti teknik vlerëson se sistemi aktual i pagesave vetëm me para në dorë nuk është i mjaftueshëm për funksionimin efikas të parkimit. Për këtë arsye propozohet instalimi i makinerive automatike të pagesës dhe pranimi i pagesave me karta debiti dhe krediti, veçanërisht për të përballuar flukset e larta turistike gjatë sezonit.

 

Durrësi me kapacitetin më të madh

Parkimi publik i Durrësit përfaqëson strukturën më të madhe ndër katër projektet. Ai përbëhet nga gjashtë kate mbi tokë, me sipërfaqe totale ndërtimi prej 15,106 metrash katrorë, nga të cilat 13,957 metra katrorë janë të dedikuara për parkimin e automjeteve.

 

Kapaciteti i përgjithshëm arrin në 353 vende parkimi, të identifikuara me numër fiks. Edhe për këtë strukturë synohet integrimi i sistemeve moderne të menaxhimit dhe pagesave elektronike.

 

Gjirokastra dhe Berati drejt automatizimit

Në Gjirokastër, parkimi publik ndodhet në sheshin “Çerçiz Topulli” dhe është tërësisht nëntokësor. Ai përbëhet nga tre nivele parkimi dhe ka një kapacitet prej 298 vendesh. Në hyrje dhe dalje janë instaluar barriera automatike me tra 3 metra, të cilat do të integrohen me sistemet e reja teknologjike.

 

Ndërkohë, parkimi publik i Beratit ndodhet në qendër të qytetit dhe ka kapacitet prej 198 vendesh parkimi. Ai disponon dy hyrje dhe një dalje, ndërsa aktualisht është i pajisur me barriera automatike dhe sisteme për gjenerimin e biletave dhe leximin e kartave RFID për abonentët.

 

Me investimin e ri pritet të përmirësohet më tej menaxhimi i hyrje-daljeve, abonimeve afatgjata dhe pagesave për përdoruesit ditorë.

 

Fokus te pagesat elektronike dhe menaxhimi inteligjent

Një nga objektivat kryesore të projektit është rritja e përdorimit të pagesave elektronike, duke ulur varësinë nga pagesat cash dhe duke ofruar më shumë lehtësi për qytetarët dhe turistët. Dokumentet e tenderit theksojnë se karakteri turistik i këtyre qyteteve kërkon sisteme moderne që mund të përballojnë flukse të larta automjetesh në periudha të caktuara të vitit.

 

Investimi synon gjithashtu të rrisë efikasitetin operacional të parkimeve publike, të përmirësojë kontrollin e aksesit dhe të krijojë një sistem më të avancuar monitorimi dhe administrimi të përdoruesve.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat